Jeta dhe veprimtaria e tij
- Raci lindi në fshat ku ndoqi një shkollë greke.
- Në moshën 15-vjeçare emigroi në Rumani për punë
- Pas qëndrimit disa vite në Rumani, Raci kthehet në atdhe, ku ushtron për një kohë të shkurtër në Korçë zejen e teneqexhiut të mësuar në mërgim e, mandej shkon në fshatin e tij ku mëson nga Pero Kaçauni (1870-1949) mjeshtrinë e fotografit, i cili kur u largua për në SHBA (1910), i dha dhe të gjitha pajisjet e fotografimit.
- Një vit më vonë, 1911, në Dardhë kishte një dyqan me tabelën “Thimi Ratsi-teneqexhi dhe fotograf”. Duhet të kujtojmë se në Dardhë kishte dhe dyqane të tjera shërbimesh si rrobaqepës, këpucar, zdruktar etj, pra ishte si një qytet në “miniaturë“.
- Fillimisht, Raci, si gjithë fotografët, fotografonte komunitetin për raste të veçanta (fetare e familjare) apo kujtimi ne fshatin e tij. Ndërkohë, ai fotografon edhe në fshatra të tjerë si në Drenovë, Boboshticë, Sinicë, Qytezë etj
- Me pas ai nisi të fotografojë “për qejf” edhe peizazhe, ngjarje e portrete të paporositura (pra të papaguara), që në fund të fundit e përmirësuan nivelin artistik të “shkrepjeve” të tij dhe sollën ngjitjen e Racit në një shkallë më të lartë se fotografë të zakonshëm e pa kërkesa artistike.
- Fotoja “Shkolla e Dardhës” e vitit 1935, tregon se ai, nga përvoja vetjake, kishte arritur të realizonte peizazhe urbane në një nivel mjaft të pëlqyeshëm.
- Dy foto të tjera të goditura të Racit janë edhe “Peizazh nga Dardha”(1935) dhe “28 Nëndor 1937”.
- Ndërkohë, Raci fotografon ngjarje jo vetëm të fshatit, por edhe të krahinës, dasma e funerale, pikniket e shumta karakteristike dardhare, si dhe ditë të shënuara pagane e fetare, ku shpaloseshin veshjet origjinale të Dardhës si xibuni i grave dhe mandio e burrave.
- Ai ka fotografuar disa here, në largësi kohore prej shumë vjetësh, gratë e fshatit duke hequr të famshmen “Vallen e Dardhës”, foto që janë shtypur edhe si kartolina e qarkulluar në vend dhe jashtë.
- Përpos, punës me njerëzit e zakonshëm të fshatit dhe krahinës, Raci “me aparatin e tij ka fiksuar figura atdhetare si Sotir Peci e Hilë Mosi, dëshmorë të Luftës Na-Çl, luftëtarë të çetave atdhetare etj.
- Po ashtu, atë e tërhiqnin edhe objekte të veçanta si ura, shtëpi të ndryshme nga të tjerat, ndonjë rrugë fshati etj.
- Nga ana teknike, Thimi Raci, ka përdorur aparatin me pllaka xhami të vendosur mbi trekëmbësh. Aftësia e fotografit që punonte me to, qëndronte edhe në përcaktimin e saktë të kohës së ekspozimit të imazhit. Kjo arrihej duke e hequr kapakun e objektivit e, mbajtur hapur atë për aq sekonda sa mendonte fotografi se ishin të nevojshme për një foto të pastër.
- Me fotot e tij është botuar më 1938, albumi turistik “Dardha”, i shoqërive dardhare “Bashkimi” në Bukuresht dhe “Shpresa”në Dardhë, nën patronazhin e Entit Kombëtar të Turizmit. Ballina e albumit që paraqet një vajzë nga fshati, është krijim i piktores së njohur Androniqi Zengo (Antoniu) (Albumi fotografik “Dardha”-Tiranë, 1938).
- Thuajse, të gjitha punimet fotografike të Racit, u dorëzuan në Arkivin e Shtetit në pllaka xhami (thuhet se janë rreth 2000 copë), ndërsa aparatet fotografike iu falën Muzeut Historik Kombëtar. Shumë foto gjenden të shpërndara në njerëz të ndryshëm jo vetëm nga Dardha, por edhe nga qytete e fshatra të tjerë. Do ishte një punë vërtetë e lavdërueshme, hedhja në letër fotografike e pamjeve të pllakave, si dhe mbledhja e fotove të përhapura andje-këndej. Atëhere, mund të paraqitej e plotë vlera e fotografisë së realizuar nga Thimi Raci.
- Mjeshtërinë e fotografit Thimi, ia përcolli edhe të birit, Andreas, i cili u muarr mjaft me fotografinë, por pa arritur nivelin e të atit.
- Thimi Raci është ndarë nga jeta më 2 shkurt 1996 në fshatin e lindjes Dardhë, ku u përcoll me nderime të merituara nga bashkëfshatarët për në banesën e fundit.